Janë publikuar pamjet nga momenti kur 18-vjeçari Arvin Fregjaj plagos me mjet prerës 32-vjeçarin Vildan Këpeca në ambientet e brendshme të poliklinikës në Shkodër.
Pas ngjarjes, Policia arrestoi autorin e dyshuar, Arvin Fregjaj, si dhe babain e tij, Agron Mehmetaj, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në plagosje. Ndaj 18-vjeçarit rëndojnë akuzat për “vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “mbajtje pa leje të armës së ftohtë” dhe “prishje të qetësisë publike”, ndërsa babai i tij akuzohet për “vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 11:30 dhe konflikti nisi për motive të dobëta, të lidhura me radhën e pritjes në poliklinikë.
Pas plagosjes së vëllait të tij, 41-vjeçari Arben Këpeca mori një pistoletë me fishek në fole dhe u nis në kërkim të autorit të dyshuar. Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, ai u ndalua përpara se situata të përshkallëzohej.
Gjatë ndërhyrjes, 41-vjeçari tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit, por u neutralizua dhe u arrestua në flagrancë. Policia sekuestroi pistoletën dhe municionin luftarak në cilësinë e provës materiale.










