Mekanizimi i bujqësisë në Shqipëri ka vijuar të rritet gjatë viteve të fundit, duke arritur në 34.770 mjete bujqësore në vitin 2025, nga rreth 31 mijë që ishin regjistruar në vitin 2019.
Sipas të dhënave, fondi i makinerive bujqësore është zgjeruar me 740 mjete krahasuar me vitin 2024, ose rreth 2.2%, ndërsa në raport me vitin 2019 rritja është rreth 12%. Në këtë numër përfshihen traktorë, minitraktorë, makina mbjellëse, motokorrëse, autokombajna dhe freza.
Qarku i Fierit vijon të mbajë vendin e parë në rang kombëtar, me 8.804 mjete bujqësore, duke përbërë më shumë se një të katërtën e totalit në vend. Në këtë qark janë të regjistruar 3.174 traktorë me rrota, 1.367 minitraktorë, 979 makina mbjellëse dhe 2.266 freza.
Pas Fierit renditet Korça me 4.814 mjete, ndërsa të dy qarqet së bashku përfaqësojnë rreth 39% të të gjithë mekanikës bujqësore në Shqipëri, duke reflektuar peshën e tyre në prodhimin bujqësor.
Në fund të renditjes ndodhen Dibra me 933 mjete dhe Kukësi me 1.070 mjete, duke treguar diferenca të mëdha në nivelin e mekanizimit mes qarqeve.
Në shkallë vendi, numrin më të madh e zënë traktorët me rrota me 10.745 njësi, të ndjekur nga frezat me 9.374 dhe minitraktorët me 6.240 mjete. Ndërkohë, autokombajnat janë më të pakta, me 743 njësi, ndërsa traktorët me zinxhirë numërojnë vetëm 157 mjete.
Megjithëse mekanizimi bujqësor është zgjeruar, rritja nuk ka qenë e njëjtë në të gjitha kategoritë. Krahasuar me vitin 2024, traktorët me rrota janë shtuar me 113 njësi dhe minitraktorët me 72, ndërsa makineritë mbjellëse kanë pësuar ulje me 155 njësi.
Të dhënat tregojnë se pajisjet bujqësore mbeten të përqendruara kryesisht në zonat me prodhimtarinë më të lartë bujqësore, ku Fieri vazhdon të jetë qarku me nivelin më të lartë të mekanizimit në vend.










