Përdorimi i internetit në Shqipëri ndryshon ndjeshëm sipas grupmoshave, me të rinjtë që dominojnë në platformat e argëtimit dhe lojërave online, ndërsa të moshuarit e përdorin më shumë për informim dhe aplikacione që lidhen me shëndetin. Kështu tregojnë të dhënat e INSTAT për vitin 2025.
Sipas raportit, 36.7% e përdoruesve të internetit kanë dëgjuar muzikë ose kanë përdorur shërbime transmetimi gjatë tre muajve të fundit. Te grupmosha 16–24 vjeç kjo përqindje arrin në 75.6%, ndërsa bie në 20.6% për moshat 25–54 vjeç dhe në 18.3% për grupmoshën 55–74 vjeç.
Edhe shikimi i filmave dhe serialeve online dominohet nga të rinjtë. Rreth 80.3% e personave 16–24 vjeç kanë ndjekur ose shkarkuar filma e seriale, kundrejt 26% të grupmoshës 25–54 vjeç dhe 21.5% të personave 55–74 vjeç.
Leximi i e-librave, gazetave dhe revistave online është më i shpërndarë mes grupmoshave. Në total, 25.8% e përdoruesve e kanë shfrytëzuar internetin për këtë qëllim, ndërsa të rinjtë kryesojnë me 44%.
Lojërat online mbeten një aktivitet tipik i moshave të reja. Sipas INSTAT, 71.5% e të rinjve 16–24 vjeç kanë luajtur ose shkarkuar lojëra për telefon, tablet apo kompjuter, krahasuar me 28.7% të grupmoshës 25–54 vjeç dhe 19.1% të grupmoshës 55–74 vjeç.
Në të kundërt, përdorimi i aplikacioneve për shëndetin dhe mirëqenien fizike është më i përhapur te personat 55–74 vjeç, ku 24.2% deklarojnë se i përdorin, duke tejkaluar grupmoshat më të reja.
Raporti evidenton gjithashtu se dallimet mes grave dhe burrave në përdorimin e internetit janë të vogla. Meshkujt rezultojnë më aktivë në muzikë, filma dhe lojëra online, ndërsa gratë përdorin më shpesh internetin për leximin e e-librave, gazetave e revistave online, si edhe për aplikacionet që lidhen me shëndetin.










