ASHK: Procesi i legalizimeve mbyllet në 2028, mbi 130 mijë vetëdeklarime ende në shqyrtim


Procesi i legalizimeve në Shqipëri pritet të përfundojë brenda vitit 2028, ndërsa rreth 130 mijë vetëdeklarime vijojnë të jenë në proces shqyrtimi. Afati u bë i ditur nga drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), Lorena Goxhobelli, gjatë një seance dëgjimore në Nënkomisionin për Auditimin e Sektorit Publik.

Sipas Goxhobellit, viti 2025 ka qenë më i suksesshmi për procesin e legalizimeve që nga krijimi i ASHK-së në vitin 2019, me 26,101 vendime legalizimi të miratuara. Ndërkohë, vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë miratuar 17,396 vendime, një ritëm që pritet ta bëjë këtë vit edhe më produktiv.

“Afati ligjor për përfundimin e procesit të legalizimeve është viti 2028”, deklaroi Goxhobelli, duke theksuar se mbetet ende një numër i madh dosjesh për t’u trajtuar.

Seanca u zhvillua në kuadër të shqyrtimit të zbatimit të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), pas auditimeve të kryera në shtatë drejtori vendore të Kadastrës. Drejtuesja e ASHK-së bëri të ditur se 33 rekomandime të KLSH-së nuk janë zbatuar, pasi, sipas saj, nuk kanë ekzistuar kushtet për marrjen e masave.

Nga auditimet e KLSH-së janë evidentuar edhe raste të legalizimeve të kryera në kundërshtim me kriteret ligjore. Për këto raste është kërkuar verifikimi i procedurave të ndjekura, identifikimi i përgjegjësive dhe marrja e masave përkatëse.