SPAK: Fatime Kryemadhi nuk justifikon qindra mijëra euro e dollarë, paraqiten konkluzionet përfundimtare

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur konkluzionet përfundimtare në gjykim për çështjen ndaj Fatime Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut, duke renditur një sërë gjetjesh mbi burime financiare që, sipas organit të akuzës, nuk justifikohen.

Sipas SPAK, Fatime Kryemadhi nuk justifikon 98 mijë euro, 246 mijë dollarë, 100 mijë euro të deklaruara si pagesa nga kompania “Agi Cons” për shlyerjen e kredive, si dhe 310 mijë euro të tjera që konsiderohen me burim të pajustifikuar.

Prokuroria deklaroi se për blerjen e apartamenteve janë marrë dy kredi, por ato janë shlyer me para në dorë, të cilat, sipas akuzës, nuk kanë burim të ligjshëm të provuar.

“Janë marrë dy kredi për të blerë apartamentet, por kreditë janë shlyer me para cash, me burime të pajustifikuara. Deklaratat noteriale janë përpiluar pasi Fatime Kryemadhi është marrë në pyetje nga organi i akuzës. Personat e pyetur në lidhje me huatë në para cash nuk kanë asnjë gjurmë të deklarimit të shumave monetare në pikat e kalimit kufitar”, u shpreh SPAK.

Në konkluzionet e saj, Prokuroria e Posaçme ndalet edhe tek Ema Çoku, për të cilën pretendon se ka pasur lidhje të ngushtë me Monika Kryemadhin.
Sipas SPAK, kjo marrëdhënie provohet jo vetëm nga komunikimet e shpeshta mes tyre, por edhe nga një sërë transaksionesh bankare. Organi i akuzës pretendon se Ema

Çoku ka firmosur deklarata noteriale, sipas të cilave i kishte dhënë Fatime Kryemadhit 240 mijë euro.

SPAK thekson gjithashtu se kompania e Ema Çokut ka paguar faturat e hotelit për shtetas të huaj që kishin ardhur për të mbështetur Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), si dhe shpenzime të lidhura me aktivitete të Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI).

Prokuroria shton se Ema Çoku ishte debitore pranë bankave të nivelit të dytë për kredi në shuma të konsiderueshme dhe, sipas saj, nuk kishte mundësi financiare për të bërë donacione të tilla.

“Ema Çoku ka tentuar të justifikojë veprimet e të pandehurve të tjerë të këtij procedimi përmes deklaratave noteriale”, thuhet në konkluzionet përfundimtare të SPAK.