BE drejt kufizimit të rrjeteve sociale për të miturit, Von der Leyen përgatit planin
Bashkimi Europian po i afrohet një vendimi të rëndësishëm për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pritet të ndërmarrë hapat e parë drejt vendosjes së kufizimeve të përbashkëta në nivel të BE-së, duke u mbështetur në një raport shkencor që do të publikohet së shpejti mbi ndikimin e platformave sociale te fëmijët dhe adoleshentët.
Raporti është përgatitur nga një grup ekspertësh të fushave të ndryshme, mes tyre psikiatri i fëmijëve Jörg Fegert dhe epidemiologia sociale Maria Melchior. Dokumenti analizon rreziqet që lidhen me përdorimin e mediave sociale nga të miturit dhe propozon masa për forcimin e mbrojtjes së tyre në mjedisin digjital.
Sipas burimeve të BE-së, Komisioni Europian mund të paraqesë në muajin shtator një paketë propozimesh që do të përfshijë kufizime moshe për aksesin në rrjetet sociale. Raporti i ekspertëve synon gjithashtu të bindë shtetet anëtare që mbeten skeptike për nevojën e një qasjeje të unifikuar në të gjithë bllokun.
Debati zhvillohet në një kohë kur disa vende jashtë Europës kanë ndërmarrë tashmë masa të ngjashme. Australia ishte ndër të parat që miratoi kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, ndërsa më pas hapa të tillë u ndërmorën edhe nga Indonezia dhe Malajzia. Edhe Turqia ka miratuar një projektligj në këtë drejtim, ndërsa Franca dhe Mbretëria e Bashkuar po shqyrtojnë rregulla më të ashpra.
Megjithatë, miratimi i një ndalimi ose kufizimi të përbashkët në të gjithë Bashkimin Europian pritet të jetë një proces kompleks, pasi kërkon dakordësinë e 27 shteteve anëtare dhe balancimin e mbrojtjes së të miturve me të drejtat dhe liritë digjitale. Ursula von der Leyen e ka renditur këtë çështje mes prioriteteve të mandatit të saj, duke argumentuar se nevojiten masa më të forta për të garantuar sigurinë e fëmijëve në internet.










