Fieri dominon bujqesine ne vend me numrin me te larte te kontribuesve

Instituti i Sigurimeve Shoqërore raporton një rritje të fortë të numrit të fermerëve të formalizuar në vend. Gjatë vitit 2025, 101,088 të vetëpunësuar në bujqësi rezultojnë kontribuues aktivë në skemën e sigurimeve shoqërore, niveli më i lartë i regjistruar deri më tani.

Në krahasim me një vit më parë, numri i fermerëve që paguajnë kontribute është rritur me 12,222 persona, ndërsa krahasuar me vitin 2021, kur regjistroheshin 58,091 kontribuues, shifra është rritur me rreth 74%, duke dëshmuar zgjerimin e formalizimit në sektor.

Rritja lidhet edhe me politikat mbështetëse për bujqësinë, pasi regjistrimi dhe pagesa e sigurimeve janë ndër kriteret bazë për të përfituar nga skemat financiare të Ministrisë së Bujqësisë.

Pjesa më e madhe e fermerëve të formalizuar, 74.5%, ushtrojnë aktivitetin në zonat fushore, ndërsa 25.5% ndodhen në zonat malore. Edhe pesha kryesore e kontributeve vjen nga zonat fushore, të cilat gjenerojnë 79.2% të rreth 36 milionë eurove të arkëtuara nga ISSH, ndërsa zonat malore kontribuojnë me 20.8%.

Në renditjen sipas qarqeve, Fieri mban vendin e parë me 16% të të gjithë fermerëve kontribuues në Shqipëri, duke konfirmuar rolin e tij si qendra kryesore e prodhimit bujqësor. Pas tij renditen Elbasani me 13.8%, si edhe qarqet e Vlorës dhe Korçës, ndërsa Gjirokastra dhe Kukësi kanë numrin më të ulët të fermerëve të formalizuar.

Ndërkohë, mbështetja financiare për sektorin është zgjeruar gjatë dy viteve të fundit. Përveç Skemës Kombëtare të Mbështetjes me një fond prej 30 milionë eurosh në vit, është zbatuar edhe Skema e Investimeve, duke e çuar fondin total në rreth 52 milionë euro. Në mbështetje të fermerëve është aktivizuar edhe garancia sovrane, e cila synon të lehtësojë kreditimin dhe të rrisë investimet në bujqësi.