Ambasada e SHBA paralajmëron shqiptarët: Mos përdorni vizat turistike për të lindur në Amerikë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim paralajmërues për qytetarët shqiptarë lidhur me përdorimin e vizave turistike për të udhëtuar në SHBA me qëllim lindjen dhe përfitimin e shërbimeve shëndetësore të financuara nga programet publike.

Në mesazhin e saj, ambasada thekson se disa prindër shqiptarë udhëtojnë drejt SHBA-së me viza turistike për të lindur atje dhe përdorin programin Medicaid për të mbuluar shpenzimet e kujdesit mjekësor.

Sipas Ambasadës Amerikane, këto kosto mbulohen nga taksapaguesit amerikanë dhe personat që përfshihen në praktika të tilla mund të përballen me pasoja gjatë aplikimeve të ardhshme për vizë.

“Shumë prindër shqiptarë me viza turistike udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara me qëllim për të lindur atje dhe përdorin programin Medicaid për të mbuluar kujdesin mjekësor. Këto shpenzime u kalojnë taksapaguesve amerikanë dhe ata prindër mund të mos kenë të drejtë t’i rinovojnë vizat e tyre në të ardhmen,” thuhet në njoftimin e ambasadës.

Autoritetet amerikane rikujtojnë se vizat turistike duhet të përdoren vetëm për qëllimet për të cilat janë lëshuar dhe u bëjnë thirrje aplikantëve të deklarojnë saktë arsyen e udhëtimit, duke respektuar rregullat e emigracionit të Shteteve të Bashkuara.