Rritet me 51% prodhimi i energjisë diellore në Shqipëri gjatë katërmujorit të parë

Prodhimi i energjisë nga centralet fotovoltaike në Shqipëri shënoi një rritje të ndjeshme gjatë katërmujorit të parë të vitit, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë për periudhën janar-prill.

Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), impiantet fotovoltaike prodhuan 294,294 MWh energji elektrike, ose 6.68% të prodhimit vendas, i cili në total arriti në 4,404,981 MWh.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, prodhimi nga energjia diellore është rritur me rreth 51%, nga 194,458 MWh në katërmujorin e parë të vitit 2025.

Megjithëse prodhimi është rritur ndjeshëm, pesha e energjisë diellore në totalin e prodhimit kombëtar ka mbetur pothuajse e pandryshuar. Sipas ERE, kjo lidhet me rritjen e përgjithshme të prodhimit vendas të energjisë elektrike, e mbështetur kryesisht nga kaskada e Drinit dhe hidrocentralet private e koncesionare.

Perspektivat për sektorin mbeten pozitive, pasi një numër projektesh të reja fotovoltaike kanë avancuar me procedurat për marrjen e lejeve dhe ndërtimin e impianteve. Ndërkohë, interesi i investitorëve privatë vijon të jetë i lartë, me aplikime të reja që depozitohen pranë institucioneve përgjegjëse, duke e konfirmuar energjinë diellore si një nga segmentet me rritjen më të shpejtë të tregut energjetik në Shqipëri.