Hita: Një e mitur e përfshira në dh*nën në Fier u arrestua, polici u pezullua për shkelje të rëndë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar lidhur me videon e publikuar në rrjetet sociale, ku disa vajza të mitura shfaqeshin duke ushtruar dhunë fizike ndaj një bashkëmoshatareje në Fier.

Në një deklaratë për mediat, Hita bëri të ditur se, në bashkëpunim me Prokurorinë, janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore, ndërsa njëra prej të miturave është arrestuar pasi rezulton e përfshirë në një rast të përsëritur.

“Është një video e rëndë ku shihen disa të mitura duke kryer veprime të dhunshme. Janë kryer veprimet procedurale dhe, në vijim të hetimeve me Prokurorinë, kanë vazhduar ndjekjet penale. Një prej vajzave ka pasur rast të përsëritur dhe është arrestuar”, u shpreh Hita.

Ai foli edhe për pezullimin e një punonjësi policie të përfshirë në këtë rast, duke sqaruar se masa u mor për shkelje të standardeve profesionale dhe cenim të figurës së Policisë së Shtetit.

Sipas Hitës, efektivi kishte krijuar një marrëdhënie të panevojshme me vajzat e përfshira në ngjarje, çka përbën shkelje të rëndë të detyrës.

“Oficeri i policisë i përfshirë në rastin e Fierit është pezulluar për shkelje të standardeve dhe cenim të rëndë të figurës së Policisë së Shtetit, pasi ka hyrë në një marrëdhënie të panevojshme me vajzat që kishin kryer veprime të kundërligjshme ndaj një të miture tjetër”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.