Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin me iniciale M.R., i akuzuar për veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278, paragrafi 6 i Kodit Penal.
Sipas organit të akuzës, gjatë hetimeve të procedimit penal nr. 1586 të vitit 2025, rezultoi se M.R. u kap duke drejtuar automjetin me një pistoletë dhe 50 fishekë. Kontrollet e mëtejshme në ambientet që ai përdorte çuan në zbulimin e një arsenali armësh, ku u sekuestruan edhe 10 automatikë model 56, një armë automatike tip “Skorpion”, një tjetër pistoletë, 465 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 14 krehëra armësh dhe dy silenciatorë.
Ekspertimi teknik-balistik konfirmoi se të gjitha armët dhe municionet ishin funksionale dhe të afta për qitje. Sipas Prokurorisë, hetimet kanë ngritur gjithashtu dyshime se një pjesë e armëve mbahej me qëllim shitjen e tyre në mënyrë të paligjshme, çështje që po hetohet në një procedim penal të veçantë.
Prokuroria e Fierit thekson se mbetet e angazhuar në goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe të trafikimit të paligjshëm të armëve, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese.










