Eurodeputeti Fredi Beleri ngriti kritika të forta ndaj sistemit të drejtësisë në Shqipëri gjatë mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri.
Sipas tij, vendi vijon të përballet me probleme serioze në fushën e drejtësisë dhe në zbatimin e vendimeve gjyqësore. Beleri tha se reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut kanë pasur dobësi, duke pretenduar se disa gjyqtarë janë përjashtuar nga procesi, ndërsa të tjerë kanë procedura ligjore të hapura në vende të Bashkimit Evropian.
Ai deklaroi gjithashtu se, sipas tij, gjatë 12 viteve të fundit nuk ka pasur asnjë çështje të përfunduar nga Gjykata, ndërsa ngriti shqetësime edhe për luftën kundër krimit të organizuar, duke përmendur trafikimin e drogës dhe çështje që lidhen me ndarjen e pushteteve.
“Sa i takon ndarjes së pushteteve, nëse nuk ka gjyqësor të pavarur, nuk ka shtet të së drejtës dhe as integrim në BE”, u shpreh Beleri, duke shtuar se vlerësimet se Shqipëria është gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk pasqyrojnë, sipas tij, situatën reale në vend.
Deklaratat e mësipërme janë qëndrime të shprehura nga eurodeputeti Fredi Beleri gjatë fjalës së tij në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri.










