Google përditëson Street View në Shqipëri me imazhe të reja 360°


Google ka përfunduar përditësimin e imazheve të Street View në Shqipëri, duke sjellë pamje të reja me rezolucion të lartë nga qytetet, rrugët, destinacionet turistike dhe zonat natyrore të vendit.

Përditësimi është pjesë e një nisme rajonale që përfshin edhe Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ku automjetet e Google Street View kanë përshkuar mbi 103 mijë kilometra për të mbledhur imazhe të reja dhe për të përmirësuar informacionin në Google Maps.

Në Shqipëri, përditësimi përfshin Tiranën, Durrësin, Vlorën, Beratin, Syrin e Kaltër dhe destinacione të tjera turistike. Google thekson se shërbimi ndihmon përdoruesit në orientim dhe planifikimin e udhëtimeve, ndërsa pritet të mbështesë edhe promovimin e turizmit dhe bizneset lokale. Për mbrojtjen e privatësisë, fytyrat e personave dhe targat e automjeteve mjegullohen automatikisht para publikimit të imazheve.