Policia aksion për mjetet pa taksë vjetore e kontroll teknik

Një aksion i koordinuar për evidentimin e automjeteve që qarkullojnë me detyrime të papërmbushura ka nisur në të gjithë vendin dhe do të vijojë gjatë muajve korrik-gusht. Kontrollet po zhvillohen në akset kryesore rrugore, ku përmes mjeteve inteligjente bëhet verifikimi në kohë reale i statusit të automjeteve.

Në fokus të kontrolleve janë mjetet që nuk kanë shlyer taksën vjetore, nuk kanë kryer kontrollin teknik ose kanë mangësi të tjera në dokumentacion, sipas legjislacionit në fuqi. Një nga pikat e para të kontrollit ishte autostrada Tiranë-Durrës, ku dhjetëra automjete iu nënshtruan verifikimeve.

Autoritetet bëjnë të ditur se qëllimi kryesor i këtij aksioni është ndërgjegjësimi i drejtuesve të mjeteve për përmbushjen në kohë të detyrimeve ligjore, të cilat ndikojnë edhe në rritjen e sigurisë rrugore. Gjatë sezonit veror, kur qarkullimi në rrugë është më i lartë, kontrollet do të intensifikohen në të gjithë territorin.

Drejtuesve të mjeteve u bëhet thirrje të verifikojnë dhe të shlyejnë në kohë detyrimet ligjore, për të shmangur penalitetet dhe për të garantuar një qarkullim më të sigurt.