INSTAT akordon 1.8 miliardë lekë për Censin e Bujqësisë, 3400 punonjës do të mbledhin të dhëna në terren

INSTAT do të investojë rreth 1.8 miliardë lekë për realizimin e Censit të Bujqësisë, një nga operacionet më të mëdha statistikore në vend pas Censit të Popullsisë dhe Banesave. Mbledhja e të dhënave do të zgjasë gjashtë javë dhe do të kryhet nga rreth 3 400 punonjës në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Projektligji “Për Censin e Bujqësisë”, i prezantuar nga INSTAT, synon të krijojë bazën ligjore për zhvillimin e procesit sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Drejtoresha e INSTAT, Lantona Sado, deklaroi se projektligji është hartuar me mbështetjen e donatorëve dhe është përafruar me legjislacionin e BE-së, duke përmbushur rekomandimet e Kapitullit 18 për statistikat.

Censi do të mbulojë rreth 90% të territorit ku ushtrohet aktivitet bujqësor dhe synon të sigurojë të dhëna të plota për sektorin.

Sipas INSTAT, informacioni i mbledhur do të shërbejë për hartimin e politikave më efektive për bujqësinë, shpërndarjen e skemave mbështetëse për fermerët mbi baza reale, si dhe për përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.