Vetëm 7 nga 43 kandidatë kalojnë ritestimin për lejen e drejtimit

Rifitimi i lejes së drejtimit vijon të jetë një proces i vështirë për drejtuesit e mjeteve që i nënshtrohen ritestimit. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, rezultatet e fundit tregojnë se kalimi i provimit kërkon përgatitje të plotë dhe njohuri të thelluara mbi rregullat e qarkullimit rrugor.

Në sesionin më të fundit të ritestimit, vetëm 7 kandidatë arritën të kalojnë me sukses nga 43 të regjistruar, duke reflektuar nivelin e lartë të kërkesave të këtij procesi.

Që nga nisja e ritestimeve në qershor të vitit 2022, nga 3.402 kandidatë të paraqitur, vetëm 470 kanë arritur të rifitojnë lejen e drejtimit, që përbën rreth 13.8% të totalit.

Sipas DPSHTRR, ky mekanizëm synon të garantojë që në qarkullim të rikthehen vetëm drejtues të aftë dhe të përgjegjshëm, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve.

Institucioni u bën thirrje kandidatëve që të përgatiten seriozisht, duke përdorur materialet dhe simulimet online për testimin teorik, në mënyrë që të rrisin shanset për sukses në provim.