Europa “digjet” nga vala ekstreme e të nxehtit, temperatura rekord dhe qindra viktima


Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po shkakton pasoja të rënda në shëndetin publik, transport, energji dhe mjedis, ndërsa autoritetet në disa vende kanë anuluar aktivitete masive për shkak të rrezikut të lartë.

Në Gjermani u regjistrua temperatura më e lartë e matur ndonjëherë, 41.3 gradë Celsius në Saarbrücken, pranë kufirit me Francën. Rekorde të reja të muajit qershor u shënuan edhe në Belgjikë dhe Holandë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar termometri arriti në 37.1 gradë Celsius. Sipas AFP, rreth 150 milionë europianë u përballën me temperatura mbi 35 gradë Celsius vetëm gjatë së premtes.

Meteorologët paralajmërojnë se fundjava mund të sjellë rekorde të reja në Çeki, Austri dhe vendet e Ballkanit. Shkencëtarët e World Weather Attribution theksojnë se kjo është vala më e ashpër e të nxehtit e regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë, me temperatura 5 deri në 12 gradë mbi mesataren sezonale, duke nënvizuar ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Pasojat janë të dukshme edhe në sistemet shëndetësore. Në Francë, spitalet në rajonin e Parisit kanë aktivizuar planet e emergjencës për shkak të mbingarkesës, ndërsa autoritetet raportojnë rritje të numrit të viktimave. Në Spanjë, sistemi MoMo ka regjistruar 327 vdekje të lidhura me temperaturat e larta brenda pak ditësh. Ndërkohë, në Francë janë raportuar 55 viktima nga mbytjet, kryesisht në zona të pambikëqyrura.

Tragjedi të tjera janë shënuar edhe për shkak të neglizhencës. Në Marsejë, një foshnjë 18-muajshe humbi jetën pasi u la në një automjet të mbinxehur, ndërsa raste të ngjashme janë raportuar edhe në Paris dhe Carpentras.

Për shkak të rrezikut ekstrem, autoritetet kanë anuluar ose shtyrë një sërë aktivitetesh publike. Në Paris u shtynë Parada e Krenarisë dhe festivali Solidays, në Holandë u anulua festivali Defqon.1, ndërsa në Gjermani u anulua gjysmëmaratona e Hamburgut.

Temperaturat e larta kanë prekur edhe transportin dhe furnizimin me energji. Një tren Eurostar me rreth 400 pasagjerë mbeti i bllokuar pranë Brukselit, ndërsa në Zvicër termocentrali bërthamor Beznau ndaloi dy reaktorë pasi temperatura e lumit Aare u rrit mbi nivelet e lejuara për ftohje.

Në Spanjë, një zjarr i madh pyjor pranë Barcelonës detyroi rreth 16 mijë banorë të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa autoritetet kanë arrestuar një person të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për pasoja afatgjata në ekosistemet alpine. Studiuesit zviceranë theksojnë se nxehtësia ekstreme po përshpejton shkrirjen e akullnajave dhe po pakëson rezervat e borës disa javë më herët se zakonisht, duke e bërë këtë verë një nga më alarmantet për mjedisin evropian.