Një telefon celular i gjetur gjatë kontrolleve blic në burgun e Fierit i është dërguar SPAK-ut për këqyrje dhe ekspertizë, mes dyshimeve se mund të jetë përdorur nga Azgan Mërnica, i dënuar me 35 vite burg për vrasjen e oficerit të policisë Novruz Cenalia.
Sipas burimeve, aparati celular u zbulua jashtë ambienteve të qelive, pasi dyshohet se është hedhur gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia e burgjeve. Pas sekuestrimit, telefoni pritet t’i nënshtrohet verifikimeve të detajuara për të zbardhur përdorimin dhe pronësinë e tij.
Mërnica, i cili më herët u dënua nga Apeli me 35 vite burg, ka mohuar që telefoni t’i përkasë atij. Megjithatë, Agjencia e Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, ka nisur hetimet për rastin, ndërsa dyshimet mbeten se pajisja mund të jetë përdorur prej tij.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se oficerë të bllokut të sigurisë kanë pohuar se telefoni është hedhur nga qelia ku mbahet Mërnica.
Në raportin paraprak thuhet se gjatë kontrollit në zonën e quajtur “brezi i butë”, përballë vendrojës 4 dhe poshtë godinës së paraburgimit, janë gjetur dy celularë me ngjyrë të zezë dhe një fishë karikimi e bardhë, pa autor të identifikuar. Hetimet vijojnë.










