“Mercedes”-i del nga rruga dhe përplaset me barrierën mbrojtëse

Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje në kryqëzimin e rrugëve “Onhezmi” dhe “Skënderbeu” në Sarandë, ku një automjet tip “Mercedes-Benz” ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierën mbrojtëse.

Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit, një shtetas francez, dyshohet se ka humbur kontrollin e automjetit, duke shkaktuar përplasjen dhe dëme materiale.

Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar. Drejtuesi i automjetit ka shpëtuar pa dëmtime, ndërsa mjeti ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në pjesën e përparme.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërritën shërbimet e Policisë Rrugore të Sarandës, të cilat kryen testin e alkoolit ndaj drejtuesit. Rezultati ishte 0.00 mg/l, çka konfirmon se ai nuk kishte konsumuar alkool.