Fieri bëhet pionier në energjinë e gjelbër, bateritë hyjnë në centralet diellore

Depozitimi i energjisë elektrike po hyn zyrtarisht në sektorin e prodhimit nga burimet diellore në Shqipëri, pasi Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar modifikimin e licencave për dy centrale fotovoltaike, duke i hapur rrugë integrimit të sistemeve të magazinimit me bateri.

Bordi i ERE ka dhënë dritën jeshile për shoqëritë SPV Blue 1 dhe SPV Blue 2, të cilat operojnë centrale fotovoltaike me kapacitet prej 50 MW secila në zonën e Sheq-Marinës, Fier. Ndryshimi i licencës u mundëson këtyre kompanive të shtojnë sisteme akumulimi dhe depozitimi të energjisë, pa ndryshuar kapacitetin ekzistues të prodhimit.

Paralelisht, ERE ka nisur procedurat për shqyrtimin e kërkesave të Sunny Side Energy dhe GreenNat Solar Park Ballsh, dy projekte të tjera me kapacitet prej 100 MW secila, të cilat synojnë gjithashtu integrimin e baterive të depozitimit.

Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit elektroenergjetik në vend. Depozitimi i energjisë konsiderohet thelbësor për rritjen e fleksibilitetit të rrjetit, pasi lejon ruajtjen e energjisë së prodhuar gjatë orëve me rrezatim të lartë diellor dhe përdorimin e saj në momentet kur kërkesa është më e lartë ose prodhimi nga burimet e rinovueshme bie.