Kamioni përplas autoveturën në Bishqem, shoferi në spital

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të enjteje në aksin Elbasan–Peqin, pranë fshatit Bishqem.

Sipas informacioneve paraprake, një kamion është përplasur me një automjet tip “Golf”, duke shkaktuar plagosjen e drejtuesit të autoveturës.

I lënduari është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se gjendja e tij është stabilizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet e para dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë një parakalim i gabuar nga njëri prej mjeteve të përfshira në ngjarje, ndërsa policia vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave.