Ministria e Brendshme ka shpallur “non-grata” shtetasen Igballe Huduti, duke i ndaluar hyrjen në territorin e Shqipërisë për një periudhë 15-vjeçare.
Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme , ministri Besfort Lamallari ka firmosur vendimin pas vlerësimeve të institucioneve përgjegjëse, të cilat kanë konstatuar se aktiviteti i saj mund të cenojë sigurinë kombëtare, rendin publik dhe stabilitetin e vendit.
Urdhri i është përcjellë për zbatim strukturave të Policisë së Shtetit, si edhe autoriteteve të kufirit dhe migracionit, të cilat do të marrin masat përkatëse për zbatimin e tij.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama reagoi publikisht në rrjetet sociale lidhur me praninë e Hudutit në protestat e zhvilluara në Tiranë. Kreu i qeverisë publikoi fotografi dhe ngriti akuza ndaj saj për deklarata me mesazhe nxitëse dhe retorikë ekstremiste.
Rama e lidhi gjithashtu Hudutin me mbështetjen ndaj ish-gjeneralit iranian Qasem Soleimani, duke publikuar edhe një foto ku ajo shfaqej pranë ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad.










