Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e kësaj të enjteje mesazhin e gjatë të një emigranti shqiptar që jeton dhe punon në Itali, i cili i shpreh mbështetje të plotë dhe e inkurajon të mos japë dorëheqjen mes tensioneve politike dhe protestave në vend.
Në postimin e tij, Rama shkruan se mesazhi është një ndër qindra komunikimet që ka marrë nga qytetarë brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke theksuar se asgjë nuk do ta ndalë misionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
Autori i mesazhit, me origjinë nga Vlora, vlerëson transformimin e vendit gjatë viteve të fundit, veçanërisht investimet në turizëm dhe zhvillimin e infrastrukturës, ndërsa shprehet se këto ndryshime po bëjnë që shumë emigrantë të mendojnë seriozisht rikthimin në Shqipëri.
Nga ana tjetër, ai evidenton edhe problematika të mprehta si korrupsioni, ndotja, mungesa e kulturës rrugore dhe menaxhimi i mbetjeve, duke theksuar se këto mbeten sfida reale për vendin.
Në fund të mesazhit, emigranti i kërkon Ramës të vijojë punën për modernizimin e vendit, duke nënvizuar se ekziston edhe një pjesë e heshtur e qytetarëve që vazhdon ta mbështesë qeverinë.










