Seanca gjyqësore në GJKKO për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-deputeten Monika Kryemadhi është shoqëruar me tensione dhe debate të forta mes ish-bashkëshortëve.
Debati nisi pas deklaratave të Metës, i cili u shpreh se nuk ka dijeni për veprimet apo mesazhet e Kryemadhit me persona të përmendur në dosje, si Piro Xhixho, Theodhori Çami dhe Adrian Shatku. Meta mohoi çdo ndikim apo ndërhyrje, duke theksuar se për çështjen e mesazheve përgjegjësinë e mban vetë Kryemadhi.
Deklaratat e tij sollën reagimin e menjëhershëm të Monika Kryemadhit, e cila e akuzoi Metën se po flet mbi thashetheme dhe ndikime të jashtme, duke përmendur edhe emrin e Tedi Blushit dhe ish-kreut të SPAK, Altin Dumani.
Tensionet u rritën më tej kur Kryemadhi shpërtheu me tone të ashpra ndaj Tedi Blushit, i pranishëm në sallë, duke deklaruar se prej katër vitesh ka duruar sjelljen dhe ndërhyrjet e tij.
Pas përplasjes verbale, gjykata u detyrua të ndërhyjë, duke paralajmëruar palët se në rast përsëritjeje do të largohen nga salla dhe do të përballen me masa ndëshkuese. Kryemadhi u paralajmërua gjithashtu me gjobë nëse do të vijonte me ndërhyrje të ngjashme gjatë seancës.










