Situata në kantierin e Aeroportit të Vlorës vijon të mbetet e tensionuar, pasi rojet e sigurisë nuk kanë lejuar punonjësit e kompanisë MABCO të hyjnë në ambientet e terminalit dhe zonën e aeroportit.
Ndërkohë, kamionët e kompanisë 2A Group vazhdojnë të bllokojnë hyrjet kryesore, duke paralizuar punën në kantier. Në vendngjarje ka mbërritur edhe presidenti i MABCO-s, Emin Pacolli, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për zhbllokimin e situatës.
Megjithatë, efektivët e policisë të pranishëm në terren nuk kanë ndërmarrë veprime, duke deklaruar se janë në pritje të procedurave dhe urdhrave nga autoritetet kompetente. Si pasojë e ngërçit mes palëve, punimet në aeroport mbeten të ndërprera.










