Roskoveci priti delegacionin ukrainas, në fokus shkëmbimi i përvojave në qeverisjen vendore dhe bujqësi

Bashkia Roskovec mirëpriti një delegacion nga Bashkia Letychiv e Ukrainës, në kuadër të një programi shkëmbimi përvojash mes institucioneve vendore.

Aktiviteti u çel në orën 10:00 me fjalët përshëndetëse të Kryetares së Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, Kryetarit të Bashkisë Letychiv, Ihor Tysiachnyi, Ambasadorit të Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, si dhe përfaqësuesve të NALAS, Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Bashkisë Lezhë dhe Bashkisë Dimal.

Gjatë takimit u theksuan objektivat e programit të shkëmbimit, bashkëpunimi institucional dhe mundësitë për zhvillim të përbashkët.

Më pas u prezantua struktura e qeverisjes së Bashkisë Roskovec, prioritetet strategjike, planifikimi vendor dhe ofrimi i shërbimeve publike.

Një pjesë e rëndësishme e programit iu kushtua bujqësisë dhe zhvillimit rural, ku Roskoveci u prezantua si një bashki me identitet të fortë bujqësor dhe me potencial në prodhimin vendor.

Delegacioni ukrainas zhvilloi gjithashtu vizita studimore në terren, përfshirë sera, ferma blegtorale, përpunim ulliri dhe sistemin e ujitjes në Matkë – Stacioni i Pompimit, si investim kyç për mbështetjen e prodhimit bujqësor.