Ndërsa në Tiranë pritet të zhvillohet sot dita e 22-të e protestave masive që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, një reagim i fortë ka ardhur nga radhët e mazhorancës.
Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, përmes një postimi në Facebook, ka folur për nevojën e një “Marrëveshjeje të Re” për Shqipërinë, duke theksuar se kjo nis fillimisht nga reflektimi dhe ndryshimi brenda vetë PS-së.
Spiropali u shpreh se Shqipëria duhet të bëhet më e hapur, më e drejtë, më meritokratike dhe më europiane, ndërsa nënvizoi se Partia Socialiste duhet të vetpastrohet dhe të reformohet për të ruajtur besimin e qytetarëve.
“Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe”, shkruan Spiropali.
Në fund të reagimit të saj, deputetja socialiste thekson se pa përmirësuar fillimisht vetveten, nuk mund të pretendohet përmirësimi i vendit.










