Dhjetëra banorë të Nivicës dhe Shën Vasilit, pronarë tokash në Kakome, si edhe emigrantë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, zhvilluan këtë të diel një protestë në zonën e Kakomesë.
Pas paralajmërimeve të mëhershme, protestuesit shembën rrethimin që prej 22 vitesh mbante të izoluar zonën, duke penguar aksesin në tokat e tyre dhe përdorimin e plazhit nga banorët vendas dhe vizitorët.
Banorët pretendojnë se prej më shumë se dy dekadash hyrja në plazh është bllokuar për interesa private dhe akuzojnë biznesmenin Luan Leka se ka kufizuar aksesin në një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme të zonës.
Sipas protestuesve, qëllimi i tyre është rikthimi i aksesit të lirë në Kakome dhe zgjidhja e çështjes së pronave që, sipas tyre, vijon prej vitesh pa marrë përgjigje institucionale.










