Aeroport turistik në Gjirokastër, drejt hapjes gara për projektin

Gjirokastra rikthehet në fokus si një qendër me potencial për zhvillimin e aviacionit civil në jug të vendit. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se qeveria ndodhet në fazën përfundimtare të përgatitjeve për hapjen e garës për Aeroportin e Gjirokastrës, i cili pritet të funksionojë si aeroport turistik dhe sezonal.

Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turistik të gjithë qarkut, duke theksuar se objektivi është transformimi i aerodromit ekzistues në një aeroport me standarde moderne.

Aktualisht pista e aerodromit është rreth 1.2 kilometra dhe është përdorur kryesisht për fluturime sportive. Sipas autoriteteve lokale, projekti do të kërkojë investime në infrastrukturë, siguri ajrore dhe modernizim të plotë të hapësirës.

Ndërkohë, Konsulli i Nderit i Italisë në Gjirokastër, Teodor Bilushi, bëri me dije se gjatë këtij viti janë realizuar fluturime direkte nga Italia dhe se në vitin 2025 është nënshkruar edhe një marrëveshje binjakëzimi me aeroportin e Sibarit në Itali.

I ndërtuar në vitin 1924, Aerodromi i Gjirokastrës konsiderohet një aset me potencial të lartë për zhvillimin e turizmit dhe transportit ajror në jug të Shqipërisë.