Autoriteti Rrugor Shqiptar ka çelur tenderin për studimin dhe projektimin e një aksi të ri rrugor që do të lidhë Roskovecin me Lushnjën, një projekt që synon përmirësimin e qarkullimit në ultësirën perëndimore.
Sipas dokumenteve zyrtare, fondi limit i procedurës është rreth 24 milionë lekë dhe parashikon hartimin e projektit të detajuar për një rrugë të re me gjatësi afro 22 kilometra.
Traseja do të nisë pranë qytetit të Roskovecit, në aksin Poshnjë–Roskovec–Fier, dhe do të përfundojë pranë Lushnjës, në segmentin Berat–Lushnjë. Projekti përfshin edhe ndërtimin e një ure të re mbi lumin Seman, që ndan territorin e dy bashkive.
Sipas termave të referencës, aksi do të klasifikohet si rrugë ndërurbane dytësore e kategorisë C3 dhe do të projektohet për të lehtësuar trafikun, për të rritur sigurinë rrugore dhe për të krijuar një lidhje më të shpejtë mes dy qyteteve.
ARRSH kërkon që gjatë studimit të analizohen të paktën dy variante të trasesë. Projekti do të përfshijë gjithashtu nyje lidhëse, sinjalistikë rrugore, ndriçim, gjelbërim dhe rrugë dytësore për aksesin e komuniteteve lokale.
Sipas autoritetit rrugor, një nga objektivat kryesorë të investimit është shmangia e trafikut nga qendrat e banuara të Roskovecit dhe Lushnjës, duke ulur ngarkesën në zonat urbane dhe duke përmirësuar sigurinë për automjetet dhe këmbësorët.










