Eurostat: Shqiptarët paguajnë karburantin 10.5% më shtrenjtë se mesatarja e BE-së!

Shqipëria rezulton ndër vendet me karburantin më të shtrenjtë në Europë sipas fuqisë blerëse. Të dhënat e publikuara nga Eurostat për vitin 2025 tregojnë se konsumatorët shqiptarë paguajnë 10.5% më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian për karburante dhe lubrifikantë për automjetet private.

Sipas indeksit të nivelit të çmimeve me barazinë e fuqisë blerëse (PPP), Shqipëria regjistroi një nivel prej 110.5%, çka do të thotë se për të blerë të njëjtën sasi karburanti që një qytetari në BE i kushton 100 euro, një shqiptari i duhen 110.5 euro.

Eurostat përfshin në këtë kategori benzinën, naftën, gazin për automjete (LPG/CNG), vajrat lubrifikues dhe produkte të tjera të mirëmbajtjes së mjeteve private.

Pavarësisht se Shqipëria mbetet ndër vendet me të ardhurat më të ulëta në Europë — me të ardhura për frymë sa 43% e mesatares së BE-së dhe konsum individual në 48% të saj — çmimet e karburanteve janë më të larta se në shumë shtete më të zhvilluara.

Në renditjen europiane, Shqipëria pozicionohet e pesta për karburantet më të shtrenjta sipas fuqisë blerëse, pas Islandës (128.4%), Danimarkës (114.7%), Holandës (114%) dhe Zvicrës (113.7%).

Edhe krahasuar me rajonin, çmimet në Shqipëri rezultojnë dukshëm më të larta. Serbia renditet me 96.1%, Mali i Zi me 85.6%, Bosnjë-Hercegovina me 76.3%, ndërsa Maqedonia e Veriut është ndër vendet më të lira në Europë me 72%, pas Turqisë me 67.5%.

Sipas raportit, Shqipëria ka ardhur duke u shtrenjtuar vazhdimisht në raport me mesataren europiane. Në vitet 2022-2023 çmimet arritën nivelin e BE-së, në 2024 indeksi shkoi në 106.6%, ndërsa në 2025 u rrit në 110.5%.

Monitor shkruan se diferenca lidhet kryesisht me barrën e lartë fiskale mbi karburantet, pasi taksat përbëjnë rreth gjysmën e çmimit të një litri karburant në Shqipëri, ndërsa në vendet e tjera të rajonit llogariten në rreth 30-35%.