Substanca n*rkotike të maskuara si karamele, rritet shqetësimi në shkolla

Policia e Shtetit ka ngritur shqetësimin për përhapjen e një forme të re të lëndëve narkotike në Shqipëri, të maskuara si produkte ushqimore të zakonshme, të njohura si “edibles”.

Në një shkresë drejtuar Ministrisë së Arsimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, bën me dije se Njësia e Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm për substancat e reja psikoaktive ka evidentuar raste të përpunimit të kanabisit në formë xhelatinash dhe karamelesh, të ngjashme me ëmbëlsirat që konsumohen nga fëmijët.

Sipas të dhënave, këto produkte përgatiten përmes ekstraktimit të THC-së nga bima e kanabisit dhe më pas përpunohen në forma ushqimore, çka i bën të vështira për t’u dalluar vizualisht nga karamelet e zakonshme.

Autoritetet paralajmërojnë se kjo ngjashmëri rrit rrezikun e konsumimit aksidental, sidomos nga të miturit, ndërsa përqendrimi i lartë i THC-së mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, përfshirë efekte toksike, çrregullime neurologjike dhe reaksione të forta psikoaktive.

Në këtë kuadër, Policia i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit të rrisë ndërgjegjësimin në shkolla, duke informuar mësuesit, nxënësit dhe prindërit për rreziqet që lidhen me këto produkte dhe ndikimin e tyre në shëndetin publik.