Skema Kombëtare 2026: Deri në 200 mijë lekë mbështetje për fermat organike

Fermerët që ushtrojnë aktivitet në sektorin e bujqësisë organike kanë afat deri më 26 qershor për të aplikuar në kuadër të Skemës Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2026.

Masa 6 e kësaj skeme i dedikohet fermave organike dhe synon nxitjen e prodhimit sipas standardeve të certifikuara, rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit dhe promovimin e praktikave bujqësore të qëndrueshme.

Sipas kritereve të përcaktuara, fermerët përfitojnë mbështetje financiare në varësi të fazës së certifikimit. Për vitin e parë të certifikimit parashikohet një mbështetje prej 100 mijë lekësh, ndërsa për vitin e dytë dhe të tretë përfitimi arrin në 150 mijë lekë.

Ndërkohë, fermat që disponojnë certifikim organik përfitojnë mbështetje financiare deri në 200 mijë lekë.

Kjo masë synon zgjerimin e sipërfaqeve të kultivuara me metoda organike, përmirësimin e cilësisë së produkteve bujqësore dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u bën thirrje fermerëve të interesuar të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar për të përfituar nga fondet e vëna në dispozicion për zhvillimin e sektorit bujqësor.