Aksident në aksin Vlorë–Panaja, makina përplaset me motorin pranë rrethrrotullimit

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të marte në aksin “100 Vjetori” Vlorë–Panaja, pranë rrethrrotullimit të Panajas.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet i drejtuar nga Jakup Meleq është përplasur me një motomjet që drejtohej nga Bernhard Liske. Përplasja ka ndodhur rreth orës 14:50.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i motorit ka mbetur i lënduar dhe është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po merr ndihmën mjekësore.

Burime paraprake bëjnë me dije se ai ka pësuar dëmtime të lehta, ndërsa pritet një vlerësim më i plotë nga mjekët për gjendjen e tij shëndetësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat po kryejnë veprimet procedurale për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.