Qeveria shqiptare ka propozuar ndryshime të reja në Kodin Penal, në kuadër të përafrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së, si dhe për forcimin e luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Projektligji, i hedhur për konsultim publik, parashikon standarde të përbashkëta për ndëshkimin e veprave penale që dëmtojnë buxhetin e BE-së, përfshirë mashtrimin, korrupsionin, përvetësimin e fondeve, pastrimin e parave dhe mashtrimet e rënda ndërkufitare në fushën e TVSH-së.
Sipas draftit, këto vepra penale të kryera në Shqipëri do të dënohen me burg nga 2 deri në 5 vjet, ndërsa dënimet ashpërsohen në rastet kur dëmi financiar tejkalon vlerën e 100 mijë eurove.
Direktiva e BE-së synon që këto krime të ndiqen penalisht në mënyrë të njëtrajtshme në të gjitha vendet anëtare, duke përcaktuar edhe nivele minimale sanksionesh dhe përgjegjësi për personat juridikë.
Përmes këtyre ndryshimeve, synohet rritja e efektivitetit në parandalimin dhe ndëshkimin e abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian, forcimi i bashkëpunimit mes autoriteteve dhe garantimi i më shumë transparence në menaxhimin e financave publike.
Në relacionin shoqërues thuhet se dënimet janë përcaktuar në përputhje me standardet e Direktivës së BE-së dhe praktikat më të mira legjislative të vendeve anëtare, veçanërisht Italisë dhe Gjermanisë.
Projektligji synon gjithashtu të korrigjojë boshllëqet ekzistuese në legjislacionin penal shqiptar, sidomos sa i përket përjashtimit ose uljes së dënimit për bashkëpunëtorët e drejtësisë.
Sipas qeverisë, zbatimi i këtij kuadri të harmonizuar ligjor pritet të sjellë përfitime ekonomike dhe sociale për Shqipërinë, duke rritur besimin e investitorëve vendas dhe të huaj përmes garantimit të stabilitetit juridik dhe mbrojtjes së kapitalit.










