I gjithë Korridori Blu do të ndërtohet me PPP, Thumanë-Kashar modeli referues

Të gjitha segmentet rrugore që janë pjesë e Korridorit Blu do të realizohen përmes skemës së Partneritetit Publik Privat (PPP). Lajmi u bë i ditur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili deklaroi se modeli koncesionar do të zbatohet në të gjithë projektin strategjik.

Sipas Karakaçit, kontratat për segmentet e tjera të Korridorit Blu do të ndjekin të njëjtën qasje si aksi Thumanë-Kashar, me synimin për të ulur barrën financiare për buxhetin e shtetit dhe për të garantuar ndërtimin e infrastrukturës sipas standardeve europiane.

“Edhe kontratat për segmentet e tjera të Korridorit Blu do të ndjekin të njëjtin model koncesionar, i cili synon të minimizojë barrën financiare për buxhetin e shtetit, duke garantuar njëkohësisht ndërtimin e infrastrukturës strategjike sipas standardeve europiane. Dua të theksoj se aksi Thumanë-Kashar është autostrada e parë e kategorisë A në vend”, u shpreh ministri.

Karakaçi e cilësoi aksin Thumanë-Kashar si rrugën me standardet më të larta të ndërtuar deri më sot në Shqipëri, duke e konsideruar atë një model referues për projektet e ardhshme të Korridorit Blu.

Ministri bëri të ditur se të ardhurat e pritshme nga operimi i këtij aksi vlerësohen në rreth 1.3 miliardë euro gjatë një periudhe 35-vjeçare, duke përfshirë përdorimin dhe menaxhimin e infrastrukturës.

Duke iu referuar praktikave ndërkombëtare dhe udhëzimeve të Bankës Botërore, Karakaçi tha se në projektet e autostradave me koncesion afatgjatë, të ardhurat totale zakonisht janë rreth 1.5 herë më të larta se vlera e investimit gjatë gjithë periudhës së kontratës.

Ai theksoi se koncesionari nuk mbulon vetëm ndërtimin e veprës, por edhe mirëmbajtjen, operimin, ndërhyrjet e mëvonshme dhe riskun e trafikut për dekada me radhë.

Korridori Blu konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, pasi synon përmirësimin e lidhjeve rrugore përgjatë vijës bregdetare dhe integrimin e rrjetit shqiptar me korridoret europiane të transportit. Qeveria synon që realizimi i tij të mbështetet kryesisht në partneritete me sektorin privat, duke shpërndarë kostot dhe përgjegjësitë e investimit në afat të gjatë.