Paratë që emigrantët shqiptarë u dërgojnë familjeve të tyre në vend vijojnë të rriten, duke mbetur një nga burimet kryesore të hyrjes së valutës në ekonominë shqiptare.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, remitancat arritën në 274.3 milionë euro gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur remitancat ishin 250.7 milionë euro, prurjet u rritën me rreth 9%, ndërsa në raport me vitin 2024 rritja tejkalon 13%. Sipas të dhënave zyrtare, tendenca pozitive është forcuar pas pandemisë, me flukse që kanë shënuar rritje të vazhdueshme dhe nivele rekord nga viti në vit.
Rritja e remitancave lidhet edhe me zgjerimin e diasporës shqiptare. Të dhënat demografike tregojnë se emigracioni mbetet faktori kryesor që ndikon në tkurrjen e popullsisë së vendit. Edhe pse në vitin 2025 shtesa natyrore e popullsisë rezultoi pozitive, me 1.147 lindje më shumë se vdekje, migracioni neto mbeti negativ me 28.531 persona.
Sipas publikimeve të mëparshme të INSTAT, pjesa më e madhe e remitancave vjen nga komunitetet shqiptare në Itali dhe Greqi, vendet ku jeton edhe numri më i madh i emigrantëve shqiptarë. Këto dërgesa financiare konsiderohen një mbështetje e rëndësishme për buxhetet familjare dhe një burim i qëndrueshëm valute për ekonominë e vendit.
Megjithatë, rekordi i remitancave vjen në një periudhë kur euro ka zbritur në nivelet më të ulëta historike kundrejt lekut, duke bërë që familjet që varen nga të ardhurat e ardhura nga jashtë të përfitojnë më pak në terma të fuqisë blerëse në Shqipëri.










