Shteti fitoi betejën ligjore me Bankers, po shlyhen rreth 30 mln euro detyrime

Ministri i Financave, Petrit Malaj, paraqiti kronologjinë e çështjes së kompanisë Bankers Petroleum Albania, duke theksuar se procesi ka kaluar nëpër disa shkallë gjyqësore dhe arbitrazhi ndërkombëtar, përpara se të arrihej në fazën e ekzekutimit të detyrimeve.

Sipas Malajt, marrëveshja për shfrytëzimin e vendburimit të Patos-Marinëz u nënshkrua në qershor 2004 për një afat 25-vjeçar dhe parashikonte lehtësira fiskale, përfshirë përjashtimin nga akciza për produktet e përdorura në nxjerrjen e naftës bruto deri më 1 prill 2014.

Pas ndryshimeve fiskale të vitit 2014, administrata doganore nisi kontrollet dhe interpretimet mbi produktet e përdorura në procesin e nxjerrjes së naftës, përfshirë holluesin (diluentin), duke lindur mosmarrëveshje me kompaninë.

Në shtator 2014, Dogana vendosi një detyrim prej 589 milionë lekësh për akcizë të papaguar. Kompania e kundërshtoi në gjykatë, duke hapur një proces që zgjati rreth 10 vite dhe përfundoi në Gjykatën e Lartë, e cila në mars 2022 i dha të drejtë administratës doganore.

Ndërkohë, në vitin 2019 u vendos një tjetër detyrim prej 3.09 miliardë lekësh dhe një gjobë rreth 9 miliardë lekësh, me vlerë totale 12.48 miliardë lekë, procedurë që u pezullua për shkak të proceseve gjyqësore në vijim.

Çështja kaloi edhe në arbitrazh ndërkombëtar, ku në qershor 2024 vendimi ishte në favor të shtetit shqiptar. Ky vendim u konfirmua më pas edhe në dhjetor 2024 nga gjykatat ndërkombëtare.

Pas rifillimit të procedurave të ekzekutimit në shtator 2025 dhe vendimeve të gjykatave shqiptare në favor të autoriteteve shtetërore në dhjetor të po atij viti, nisi mbledhja e detyrimeve.

Sipas Ministrisë së Financave, aktualisht është arritur një marrëveshje për shlyerjen e një detyrimi prej rreth 3 miliardë lekësh (afërsisht 30 milionë euro), i cili po paguhet me këste sipas një kalendari të dakordësuar.

Malaj theksoi se çështja përfaqëson një proces të gjatë ligjor dhe institucional, ku sipas tij shteti shqiptar ka mbrojtur me sukses interesat e tij në të gjitha instancat kryesore të shqyrtimit, brenda dhe jashtë vendit.