Kryeministri Edi Rama deklaroi se nisja e punimeve për aksin rrugor Milot-Balldren përbën një hap të rëndësishëm për zhvillimin e Shkodrës, Lezhës dhe gjithë veriut të vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se projekti do të lehtësojë lëvizjen, do të rrisë sigurinë rrugore dhe do të ndikojë pozitivisht në turizëm, biznes dhe ekonomi.
Ndërkohë, kompania “Salillari” është shpallur fituese e procedurës për ndërtimin e këtij segmenti, i cili konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në veri të Shqipërisë dhe pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian.
Aksi Milot-Balldren do të ketë një gjatësi prej 17 kilometrash. Ai nis në nyjën e Milotit, ku lidhet me segmentin Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe Rrugën e Kombit, dhe përfundon në Balldren, ku bashkohet me rrugën ekzistuese Tiranë-Shkodër.
Sipas qeverisë, projekti është pjesë e investimeve strategjike për përmirësimin e infrastrukturës dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në rajonin verior të vendit.










