Treni Durrës-Rrogozhinë, shtyhet afati i tenderit 90 mln euro

Hekurudha Shqiptare ka shtyrë afatin për dorëzimin e ofertave në tenderin ndërkombëtar me vlerë 90 milionë euro për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë.

Sipas njoftimit të publikuar në platformën evropiane TED, operatorët ekonomikë do të kenë kohë deri më 22 korrik 2026 për të paraqitur ofertat e tyre, ndërsa afati fillestar ishte caktuar më 10 qershor. Shtyrja u jep kompanive rreth gjashtë javë shtesë për përgatitjen e dokumentacionit.

Dokumenti i përditësuar parashikon edhe kërkesa të reja për pjesëmarrësit. Kompania fituese do të duhet të respektojë standardet dhe detyrimet e Bankës Evropiane të Investimeve lidhur me integritetin, mbrojtjen e mjedisit dhe aspektet sociale, si dhe të hartojë plane të posaçme për menaxhimin e çështjeve mjedisore, shëndetësore dhe të sigurisë gjatë punimeve.

Një tjetër ndryshim është detyrimi për të paraqitur informacion të detajuar mbi stafin dhe kualifikimet profesionale të personelit që do të angazhohet në projekt.

Investimi parashikon projektimin dhe ndërtimin e rreth 34 kilometrave linjë hekurudhore, kryesisht mbi gjurmën ekzistuese. Punimet do të përfshijnë rikonstruksionin e urave, nënkalimeve dhe mbikalimeve, rehabilitimin e një tuneli rreth 380 metra të gjatë, modernizimin e kalimeve në nivel dhe instalimin e sistemeve moderne të sinjalistikës.

Në kuadër të projektit do të rikonstruktohen gjithashtu 5 stacione hekurudhore, do të ndërtohen ose rehabilitohen rrugë aksesi dhe do të zbatohen masa për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Linja do të projektohet me mundësinë e elektrifikimit në një fazë të ardhshme.

Vlera e kontratës mbetet 90 milionë euro pa TVSH, ndërsa afati i realizimit të projektit është parashikuar 48 muaj