Inflacioni në Shqipëri u rrit në 3% gjatë muajit maj, duke prekur objektivin e Bankës së Shqipërisë dhe duke sinjalizuar vazhdimin e presioneve mbi çmimet në ekonomi. Sipas të dhënave të INSTAT, norma vjetore e inflacionit u ngjit nga 2.8% në prill në 3% në maj, niveli më i lartë i viteve të fundit, i ndikuar edhe nga zhvillimet globale, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme.
Megjithëse krahasuar me prillin çmimet e konsumit shënuan një rënie të lehtë prej 0.04%, në bazë vjetore ato vijojnë të rriten, të nxitura kryesisht nga transporti, energjia dhe strehimi.
Sipas INSTAT, rritjen më të madhe të çmimeve e ka shënuar transporti me 7.8% në bazë vjetore, i ndjekur nga sigurimet dhe shërbimet financiare me 4.9%. Grupi “qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” si dhe “argëtim, sport dhe kulturë” u rritën me 4.2%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike me 2.2%.
Kontributin më të madh në inflacion e kanë dhënë qiratë, uji, energjia, gazi dhe karburantet me 0.84 pikë përqindje, ushqimet me 0.76 pikë përqindje dhe transporti me 0.51 pikë përqindje.
Në segmentin e ushqimeve, rritjet më të forta janë regjistruar te peshku dhe produktet e detit (+9.2%), mishi i freskët (+4.2%), frutat (+3.9%) dhe produktet e mishit (+3.6%), duke vijuar të ushtrojnë presion mbi buxhetet familjare.
Rritja e inflacionit në 3% përkon me objektivin e Bankës së Shqipërisë për stabilitetin e çmimeve, por qëndrimi në këtë nivel mund të shtojë pritshmëritë për rishikim të politikës monetare nëse presionet inflacioniste vazhdojnë. Aktualisht norma bazë e interesit mbetet në 2.5%, ndërsa vendimet e ardhshme do të varen nga ecuria e inflacionit dhe faktorët e brendshëm e ndërkombëtarë.










