Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka publikuar një mesazh sensibilizues për mbrojtjen e biodiversitetit, në një kohë kur në vend vijojnë protestat për projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Në një postim në rrjetin “X”, BE thekson rëndësinë e shpendëve dhe rolit të tyre në ekosisteme, duke sjellë në vëmendje se një pjesë e madhe e specieve në botë janë në rënie për shkak të humbjes së habitateve dhe ndotjes.
“Një këngë shpendi është më shumë se tingull… Mbro natyrën, sa je në kohë,” thuhet në mesazhin e publikuar nga Delegacioni i BE-së.
Mesazhi vjen në sfondin e protestave që po zhvillohen për projektin në zonën e Zvërnecit, ku simbolika e flamengove është kthyer në një nga elementët kryesorë të tubimeve. Ndërkohë, të premten, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, u pa duke kaluar pranë turmës së protestuesve në bulevard gjatë një tubimi në Tiranë.










