Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale disa pankarta të përdorura nga protestuesit që prej ditësh kundërshtojnë projektin e planifikuar në Zvërnec.
Përmes një postimi në Facebook, Rama vlerësoi kreativitetin e autorëve të pankartave dhe memeve që kanë qarkulluar gjatë protestave, duke theksuar se disa prej tyre i konsideron ndër më të preferuarat.
“RROFTË MEMEMANIA. Që të merremi vesh se mos krijohet bindja e gabuar që mua s’më pëlqen asgjë nga ky revolucioni imagjinar i flamingove. Aq sa më ngjallin keqardhje me përzierje rropullish fjalimet krra-krra-krra, aq më argëton kreativiteti i memeve, për të cilat sinqerisht u përcjell përgëzime e falënderime autorëve”, shkruan Rama.
Kryeministri shtoi se disa nga pankartat e tij të preferuara nuk mund t’i publikojë, pasi sipas tij janë “shumë të nxehta” dhe mund të krijojnë keqkuptime të reja.
Në të njëjtin reagim, Rama ritheksoi qëndrimin e tij se projekti në Zvërnec do të sjellë zhvillim dhe transformim të mëtejshëm për vendin, duke i cilësuar si “rreziqe imagjinare” shqetësimet e ngritura nga kundërshtarët e projektit.










