Protestat për Zvërnecin shtrihen në diasporë, tubime në Londër dhe Vjenë

Kundërshtimet ndaj projektit të planifikuar në Zvërnec kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë, me shqiptarë të diasporës që janë mobilizuar në disa qytete europiane për të shprehur mbështetjen ndaj protestave.

Në Londër, dhjetëra shqiptarë u mblodhën në një tubim ku marshuan me flamuj kuqezi dhe pankarta, duke kërkuar anulimin e projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Gjatë protestës u dëgjuan thirrje kundër qeverisë, ndërsa pjesëmarrësit shprehën qëndrimet e tyre përmes mesazheve të ndryshme, mes tyre edhe slogani: “Shqipëria nuk shitet”.

Manifestime të ngjashme u zhvilluan edhe në Vjenë, ku shqiptarët e pranishëm ngritën flamurin kombëtar dhe brohoritën në mbështetje të kauzës së tyre. Në tubim u dëgjuan thirrje patriotike, përfshirë edhe këngën e njohur “O sa mirë me qenë shqiptar”.