Grupi Salillari është shpallur fitues i procedurës për ndërtimin e autostradës Milot–Balldren, një nga segmentet kyçe të Korridorit Adriatiko-Jonian (Korridori Blu).
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, i cili theksoi se procedura ka qenë komplekse për shkak të dështimit të tentativave të mëparshme për realizimin e projektit.
Segmenti Milot–Balldren, me gjatësi rreth 17 kilometra, do të lidhë autostradën Thumanë–Milot me aksin Balldren–Muriqan, duke kompletuar një pjesë të rëndësishme të korridorit rrugor që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe rrjetin europian të transportit.
Projekti parashikon ndërtimin e një autostrade me standarde europiane, me dy karrexhata, korsi emergjence, ura dhe nënkalime. Sipas autoriteteve, investimi pritet të shkurtojë kohën e udhëtimit drejt Lezhës, Shkodrës dhe Malit të Zi, të rrisë sigurinë rrugore dhe të nxisë zhvillimin ekonomik në veri të vendit.
Pas shpalljes së fituesit, projekti kalon në fazën e nënshkrimit të kontratës dhe përgatitjes për nisjen e punimeve.










