Mediat ndërkombëtare i bëjnë jehonë protestave në Shqipëri kundër projektit në Zvërnec

Protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë kundër projektit turistik në Zvërnec dhe politikave qeveritare kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Mijëra qytetarë kanë dalë në shesh me pankarta si “Atdheu nuk është në shitje” dhe “Edi Rama dorëhiqu”, duke kundërshtuar ndërtimet në zonat e mbrojtura.

Jehonë protestave u kanë kushtuar media të njohura si BBC, The Independent dhe Financial Times, të cilat raportojnë mbi mobilizimin qytetar që ka nisur në Tiranë dhe është shtrirë edhe në qytete të tjera, si Durrësi dhe Vlora.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, protestuesit shprehin shqetësime për ndikimin që projekti mund të ketë mbi mjedisin dhe zonat e mbrojtura natyrore. BBC thekson se kundërshtarët e projektit argumentojnë se zhvillimi i planifikuar përbën një kërcënim për flamingot dhe specie të tjera të mbrojtura që jetojnë në ekosistemin e lagunës së Nartës dhe Zvërnecit.

Në protesta kanë marrë pjesë qytetarë të grupmoshave të ndryshme, përfshirë të rinj, familje me fëmijë dhe të moshuar, të cilët kërkojnë rishikimin e projektit dhe dëgjimin e shqetësimeve të komunitetit lokal.

Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe gjatë ditës së sotme.