Kuvendi i Partisë Demokratike miratoi këtë të shtunë, me votat unanime të delegatëve, ndryshimet në Statutin e partisë, të cilat sjellin disa risi të rëndësishme në organizimin e brendshëm, përfaqësimin politik dhe funksionimin strukturor të saj.
Ndryshimet e votuara synojnë forcimin e përfaqësimit dhe rritjen e demokracisë së brendshme, duke përfshirë si Diasporën shqiptare, ashtu edhe gratë dhe vajzat në strukturat vendimmarrëse.
Sipas vendimit të Kuvendit, risitë kryesore përfshijnë:
- Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi i saj real politik, me 15% përfaqësim në lista dhe në organet drejtuese të partisë.
- Rritja e përfaqësimit të grave dhe vajzave nga 30% në 40% në strukturat e Partisë Demokratike.
- Ngritja e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputetë dhe kryetarë bashkie, si strukturë autonome përpara procesit të primareve.
- Përmirësimi i organizimit bazë të partisë, përfshirë grupseksionet dhe nëndegët, si dhe forcimi i rolit të Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.
- Forcimi i marrëdhënieve mes degëve të partisë dhe të zgjedhurve vendorë në këshillat bashkiakë.
- Njohja e statusit të barabartë për të gjitha organizatat partnere të PD-së, duke respektuar historinë e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
- Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të partisë.
- Saktësimi i rregullave për shkarkimin e kryetarëve të degëve, duke garantuar më shumë siguri dhe qëndrueshmëri në detyrë.










