Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, duke alarmuar autoritetet dhe pushuesit. Flakët po përhapen me shpejtësi në drejtim të një sipërfaqeje me pisha, të favorizuara nga era e fortë dhe bimësia e dendur në zonë.
Në terren ndodhen dhjetëra forca zjarrfikëse që po punojnë për izolimin e vatrës së zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij pranë strukturave turistike. Sipas raportimeve, flakët janë afruar pranë disa hoteleve në zonën bregdetare të Shëngjinit.
Operacioni po mbështetet edhe nga shërbimet zjarrfikëse të Vaut të Dejës, Kurbinit dhe Mirditës, të cilat janë angazhuar për të ndihmuar në përballimin e situatës.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve dhe pushuesve të shmangin lëvizjet pranë zonës së rrezikuar dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente për çdo vatër apo situatë të dyshimtë.










