Kapet në Gjirokastër 30-vjeçari i kërkuar për pengmarrjen dhe dhunimin e një të riu në Vlorë

Kapet një tjetër autor i dyshuar i pengmarrjes dhe dhunimit të një 20-vjeçari në Vlorë. Në prangat e policisë ka rënë shtetasi R. L., 30 vjeç, banues në fshatin Risili, i shpallur në kërkim për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur më 21 maj 2026.

Arrestimi u bë në aksin rrugor “Tepelenë–Gjirokastër”, gjatë operacionit të koduar “Strike 2”, të zhvilluar nga strukturat hetimore të Vlorës, Gjirokastrës dhe forcat “Shqiponja”. Sipas policisë, 30-vjeçari u lokalizua teksa lëvizte me automjet dhe u vu në pranga pa incidente.

Sipas hetimeve, R. L., në bashkëpunim me dy persona të tjerë, B. H. dhe L. K. alias L. L., të arrestuar më herët, dyshohet se kanë marrë me forcë në automjet një 20-vjeçar në qytetin e Vlorës.

Më pas, autorët dyshohet se e kanë dërguar të riun në një ambient të izoluar, ku kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij me qëllim për t’i marrë 6000 euro.

Pas arrestimit, 30-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.