Një avokate dhe një përkthyese, u dërguan në gjyq nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, nën akuzë për kryerjen e veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ të kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 186/2 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.857, të vitit 2025, rezultoi se më datë 29.05.2025, në Zyrën e Gjendjes Civile, Bashkia Fier, u dërgua, me anë të shërbimit postar një vendim gjyqësor i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i datës 12.02.2025 me kërkues F.H dhe objekt njohje dhe dhënien fuqi ligjore për zbatim në R.Sh të vendimit të Gjykatës në Greqi. Vendim i cili pas kryerjes së veprimeve hetimore rezultoi i falsifikuar.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe adminsitrimit të provave rezultoi që dokumentat e dërguara me anë të shërbimit postar, ishin dërguar nga shtetaset A.K., dhe A.M., të cilat jo vetëm janë paraqitur disa herë në Zyrën e Gjendjes Civile për tu interesuar, por A.M., ka bërë përpjekje që me autoritetin e saj si njohëse e ligjeve të ndikojë në regjistrimin e tyre pranë gjendjes civile.
E pandehura A.K., në bashkëpunim me avokaten A.M., ka falsifikuar dhe përdorur të dy vendimet, si atë të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ashtu edhe të gjykatës greke, në mënyrë që të realizohej shkurorëzimi i shtetasit F.H., nëpërmjet një vendimi të falsifikuar të një gjykate të huaj, duke sajuar edhe njohjen e atij vendimi në gjykatën shqiptare, me anë të vendimit të falsifikuar të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në mënyrë që më pas të lidhte martesën ligjore me shtetasin F.H me të cilin ishte dhe në një lidhje intime.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier mbetet e angazhuar për të garantuar veprimtarinë e rregullt të organeve të administratës publike, si dhe të personave privatë në lidhje me hartimin, administrimin dhe lëshimin e dokumenteve, ku përfshihen si aktet zyrtare ashtu edhe ato private.










